Friday, April 6, 2012

Pasqyrat financiare të prefekturave

Abstrakt
Pasqyrat që paraqet Prefektura e Qarkut Shkodër janë: bilanci kontabël, pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e lëvizjeve në cash, pasqyra e burimeve dhe shpenzimeve të investimeve, pasqyra e gjendjes dhe ndryshimit të aktiveve të qendrueshme, pasqyra e amortizimit, pasqyra e lëvizjes së fondeve, pasqyra e konsoliduar e gjendjes financiare, pasqyra e konsoliduar e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe disa pasqyra të tjera informative si: për punonjësit dhe pagat, për lëvizjet në thesar etj. Në këtë material do të trajtohen detajet kryesore të tyre si: llogaritë më të përdorura dhe struktura e çdo pasqyre.

BILANCI KONTABËL
Pasqyra e bilancit kontabël pasqyrohet në dy faqe dhe konkretisht, në njërën pasqyrohen aktivet dhe në tjetrën pasivet.
Aktivi i bilancit kontabël
E para llogari që shënohet në tabelën e aktivit është ajo e rezultateve të mbartura me saldo debitore. Në rastin tonë kjo llogari ka vlerën zero. Më poshtë llogaritë ndahen në tre grupe:
Grupi A: Aktive të qendrueshme
Grupi B: Aktive qarkulluese
Grupi C: Llogari të tjera aktive
Grupi A që përfshin aktivet e qendrueshme përfshin tre nëngrupe:
I.                    Aktive të qëndrueshme të patrupëzuara
II.                 Aktive të qëndrueshme të trupëzuara
III.               Aktive të qendrueshme financiare
Në nëngrupin e parë bëjnë pjesë llogaritë 201, 202, 203, 209 dhe 230. Në njësinë në fjalë, të gjitha këto llogari kanë vlerën zero.
Llogaria 201 “Prime të emisionit dhe rimbursimit të huave” pasqyron shpenzimet që lindin me emetimin e huave, nga njëra anë publiciteti dhe komisionet mbi huamarjet e emetuara nga organet vendore dhe nga ana tjetër, shpenzimet që lidhen me primet e emisionit dhe rimbursimit të huave të emetuara nga njësitë vendore.
Llogaria 202 “Studime dhe kërkime” paraqet shumën e shpenzimeve që ndërmerr njësia publike për të zhvilluar produkte ose shpenzime të reja si dhe për t’i përmirësuar ato. 
Llogaria 203 “Koncesione, patenta, licenca e të tjera të ngjashme” tregon shpenzimet e kryera për të shfrytëzuar avantazhet që siguron mbrojtja e një shpikjeje ose e një veprimtarie nëpërmjet zotërimit të licencave, patentave të drejtave koncesionare etj.
Lliogaria 209 “Amortizimi i aktiveve të qendrueshme të patrupëzuara” tregon shumën e akumuluar të amortizimit të aktiveve të qëndrueshme të patrupëzuara të përmendura më sipër.
Llogaria 230 “Shpenzime për rritjen e aktiveve të qëndrueshme të patrupëzuara” paraqet vletën e aktiveve të qendrueshme të patrupëzuara që blihen, krijohen dhe vlerën e përmirësimeve që bëhen në to. Ajo pasqyron dhe kontrollon të gjitha investimet që bëhen nga prefektura për këto aktive.
Në nëngrupin e dytë përfshihen llogaritë që kanë të bëjnë me aktivet e qendrueshme të trupëzuara. Në të përfshihen llogaritë 21, 22, 24, 28.
Llogaria 210 “Toka, troje, terrene” pasqyron vlerën kontabël të tokave, trojeve dhe terreneve në pronësi të prefekturës. Vlera e saj është zero.
Llogaria 211 “Pyje, Kullota, Plantacione” pasqyron vlerën kontabël të pyjeve, kullotave e plantacioneve në zotërim të prefekturës. Vlera e saj është zero. 
Llogaria 212 “Ndërtime e konstruksione” paraqet vlerën kontabël të ndërtimeve e konstruksioneve të zotëruara nga prefektura. Vlera e kësaj llogarie është 71.258.441 lekë në debi.
Llogaria 213 “Rrugë, mjete, vepra ujore” paraqet vlerën e rrugëve, mjeteve e veprave ujore që zotërohen nga institucionet. Në këtë rast prefektura nuk zotëron asnjë nga këto lloj aktivesh kështu që vlera e saj është zero.
Llogaria 214 “Instalime teknike, makineri, pajisje, vegla pune” tregon vlerën kontabël të makinerive pajisjeve, instalimeve e veglave të punës në zotërim të prefekturës. Vlera e saj për vitin 2011 është 7.071.520 lekë.
Llogaria 215 “Mjete transporti” tregon vlerën kontabël të mjeteve të transportit në zotërim të prefekturës. Vlera e kësaj llogarie në vitin 2011 është 11.772.580 lekë.
Llogaria 216 “Kafshë pune e prodhimi” tregon vlerën e kafshëve të punës që gjenden në zotërim të prefekturës. Duke qenë se natyra e këtij institucioni nuk është e tillë që të zotërojë kafshë pune e prodhimi, vlera e kësaj llogarie është zero.
Llogaria 218 “Inventar ekonomik” përfshin të gjitha aktivet e qëndrueshme të trupëzuara që nuk renditen në asnjërën prej këtyre llogarive. Kjo llogari ka tepricën 11.565.200 lekë në debi.
Llogaria 219 “Amortizimi i aktiveve të qëndrueshme të trupëzuara” tregon vlerën e akumuluar të amortizimit të aktiveve të qendrueshme të trupëzuara të përmendura më sipër.  Vlera e kësaj llogarie është 21.250.281 lekë.
Llogaritë 231 dhe 232 tregojnë shpenzimet për rritjen e vlerës së aktiveve të qendrueshëm që janë në proces.
Llogaria 24 “Aktive të qendrueshme të trupëzuara të dëmtuara” tregon vlerën e aktiveve të qendrueshme të dëmtuara dhe që dalin jashtë përdorimit. Vlera e kësaj llogarie është 195.000 lekë.
Llogaria 28 “Caktime” tregon vlerën e aktiveve te qendrueshme që institucioni ja ka dhënë në përdorim një institucioni publik. Në këtë rast nuk kemi aktive të dhëna një institucioni tjetër nga prefektura.
Në nëngrupin e tretë përfshihen aktivet financiare. Më konkretisht, në këtë nëngrup përfshihen llogaritë 25 dhe 26 të huadhënieve e nënhuadhënieve nga ana e prefekturës si dhe të pjesëmarrjes në kapitalin e vet të një shoqërie tjetër. Në rastin konkret, nuk kemi as huadhënie as aksione në zotërim të prefekturës prandaj vlera e tyre është zero.
Grupi B përfshin aktivet qarkulluese përfshin llogari të klasave 3,4 dhe 5. Ky grup ndahet në tre nëngrupe.
Nëngrupi i parë përfshin llogaritë që kanë të bëjnë me gjendjen e inventarit.
Llogaria 31 “Materiale” përdoret për të evidencuar materialet në zotërim të prefekturës që përdoren në procesin e prodhimit. Meqenëse prefektura nuk ka aktivitet prodhues vlera e kësaj llogarie është zero.
Llogaria 32 “Objekte inventari” përfshin objektet e inventarit në zotërim të prefekturës si psh ambalazh i kthyeshëm dhe inventar me vlerë të vogël i cilësuar si inventar i imët. Vlera e kësaj llogarie është 609918 lekë.
Llogaritë 33-39 përfshijnë produkete e shërbime në proces, produkte e mallra të përfunduara, gjë e gjallë në rritje e majmëri, gjendje të pambrritura ose pranë të tjerëve, diferenca nga cmimet e magazinës dhe shuma të parashikuara për zhvlerësim inventari. Meqë prefektura nuk ka aktivitet prodhues të asnjë lloji, vlera e këtyre llogarive është zero.
Llogaria 409 “Furnitorë (Debitorë), parapagime, pagesa pjesore” tregon parapagimet e bëra dhe pagesat e pjesshme të bëra nga prefektura. Kjo llogari mbart vlerën zero në fund të vitit 2011.
Grupi i llogarive 411-418 paraqet klientë e llogari të ngjashme. Në fund të vitit 2011 nuk rezulton të ketë klientë të paarkëtuar.
Llogaritë 423-429 kanë të bëjnë me personelin si paradhënie deficite e gjoba. Vlera e këtij grupi llogarish në fund të vitit është 691.021 lekë.
Llogaria 432 “Tatime mbledhur nga shteti për llogari të pushtetit lokal” tregon vlerën e tatimeve të mbledhura nga institucioni për llogari të pushtetit lokal. Nuk ka tatime të tilla prandaj dhe vlera e tyre në këtë llogari është 0.
Llogaria 433 “Shpenzime fatkeqësi natyrore që mbulon shteti” ka pasur tepricë zero sepse nuk ka pasur shpenzime për fatkeqësi natyrore që i ka mbuluar shteti këtë vit.
Llogaria 4342 “Të tjera veprime me shtetin (debitor)” tregon veprime të tjera me institucionet shtetërore që në këtë rast janë debitorë. Kjo llogari ka një tepricë debitore prej 8.793.742 lekësh.
Llogaritë 435 e 436 mbulojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përkatësisht. Llogaritë 437 e 438 mbulojnë shpenzime të tjera shoqërore. Llogaria 44 mbulon marrëdhëniet me institucionet e tjera publike. Llogaria 45 shënon marrëdhëniet me institucione jashtë sistemit. Llogaria 466 paraqet debitorë të ndryshëm përveç kategorive të përmendura më sipër. Llogaria 49 “Shumat e parashikuara për zhvlerësim” paraqet ato shuma që njësia publike beson se mund të mos merren nga debitorët për shkak të gjendjes së tyre të keqe financiare ose mundësisë së falimentimit. Duhet të thëna se të gjitha llogaritë e përmendura më sipër kanë tepricë të barabartë me zero.
Nëngrupi i tretë përfshin llogaritë financiare. Ky nëngrup përmban llogaritë e klasës së pestë të Planit Kontabël Publik.
Llogaria e vetme me tepricë të ndryshme nga zero është llogaria 520 “Disponibilitete në thesar” e cila ka një gjendje prej 12.552.469 lekësh. Llogaritë e tjera që mbahen në lidhje me letrat me vlerë, llogaritë në bankë, arkë, provigjionet në lidhje me letra me vlerë të vendosjes etj.kanë tepricë zero.
Grupi C përmban llogari të tjera aktive si: diferenca konvertimi aktive, shpenzime për t’u shpërndarë në disa ushtrime si dhe shpenzime të periudhave të ardhshme. Të gjitha këto llogari kanë tepricë zero.
Në fund të fletës vendoset llogaria 85 “Rezultati i ushtrimit (saldo debitore)” me tepricë zero.
Pasivi i bilancit kontabël
Edhe kjo fletë ndahet në tre grupe.
Grupi A: Fonde të veta
Grupi B: Detyrime
Grupi C: Llogari të tjera.
Fondet e veta përbëhen tërësisht nga fondi bazë ndërsa grantet, si të brendshme dhe të jashtme, kanë tepricë zero. Gjithashtu nuk ka as rezerva rivlerësimi as aktive të qëndrueshme të caktuara në përdorim, as fonde rezervë dhe llogaritë përkatëse 108,107 dhe 111 kanë tepricë zero.
Grupi B që paraqet detyrimet përbëhet nga dy nëngrupe: Borxhe afatgjatë dhe detyrime afatshkurtër.
Nëngrupi i parë që paraqet borxhet afatgjata përmban llogarinë 16 “Huamarrje e brendshme dhe të ngjashme” dhe llogarinë 17 “Huamarrje të jashtme”. Këto dy llogari tregojnë përkatësisht shumën e huamarrjeve të brendshme dhe atyre të jashtme që ka si borxh prefektura aktualisht. Të dy këto llogari kanë tepricë zero.
Nëngrupi i detyrimeve afatshkurtra përfshin llogari të klasës së katërt. Këtu do të trajtohen kryesisht llogaritë me tepricë të ndryshme nga zero.
Llogaritë 401-408 që lidhen me furnitorët kanë një tepricë kreditore prej 2.587.819 lekësh. Këtu përfshihen llogaritë e pagueshme, dëftesat e pagueshme, fornitorë për aktive të qendrueshme, fornitorë faturat e të cilëve nuk kanë mbërritur ende etj.
Llogaria 42 “Personeli e llogari të lidhura me to” përfshin llogari që kanë të bëjnë me detyrime ndaj personelit si: paga të pagueshme, depozita të personelit pranë njësisë publike, ndalesa nga paga për detyrime ndaj të tretëve, shpenzime për paga që do të kryhen pas mbylljes së ushtrimit si: paga për leje të zakonshme etj. Teprica e kësaj llogarie është 3.746.856 lekë.
Llogaria 431 “Detyrime ndaj shtetit për tatim-taksa” paraqet shumën e tatimeve dhe taksave që janë për t’iu paguar shtetit. Teprica e kësaj llogarie është 490.454 lekë.
Llogaria 4341 “Të tjera operacione me shtetin (kreditor)” paraqet detyrime të tjera që institucioni ka ndaj shtetit. Teprica e kësaj llogarie është 691.021 lekë.
Llogaritë 435 dhe 436 paraqesin detyrimet e prefekturës ndaj sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e vet. Tepricat e këtyre llogarive janë, përkatësisht, 1.361.863 lekë dhe 167.352 lekë.
Llogaria 466 “Kreditorë për mjete në ruajtje” tregon detyrimet që prefektura ka ndaj të tretëve për mjetet që ajo ka në ruajtje pranë tyre. Teprica e saj është 7.695.960 lekë në kredi.
Llogaria 467 “Kreditorë të ndryshëm” mbahet për të rregjistruar të gjithë kreditorët që nuk futen në asnjërën prej kategorive të mësipërme. Teprica e saj është 339.398 lekë.
Llogari të tjera që kanë të bëjnë me tatimet e mbledhura nga shteti për llogari të pushtetit lokal, me fatkeqësi natyrore, me marrëdhënie të prefekturës me institucione të tjera përveç atyre të përmendura më sipër, qofshin vendase dhe të huaja dhe huamarrje, kanë tepricë zero.
Grupi C Llogari të tjera përfshin llogari si: të ardhura për t’u regjistruar në vitet pasardhëse, të ardhura të përfituara para nxjerrjes së titullit, diferenca konvertimi pasive, kanë tepricë zero.
Në fund vendoset Rezultati i ushtrimit (saldo kreditore) me vlerë 4.304.572 lekë.
PASQYRA E TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE
Edhe kjo pasqyrë ndahet në dy fletë, ku njëra paraqet shpenzimet e tjetra të ardhurat.
Shpenzimet
Fleta e shpenzimeve ndahet në 4 grupe:
Grupi A: Shpenzime shfrytëzimi
Grupi B: Shpenzime financiare
Grupi C: Shpenzime të jashtëzakonshme
Grupi D: Operacione korrigjim rezultati.
Grupi A ndahet në tre nëngrupe.
Nëngrupi i parë përfshin shpenzimet korrente pra llogarinë 60 të detajuar më tej në llogaritë 600-606.
Llogaria 600 “Paga, shpërblime e të tjera personeli” regjistron shpenzime për paga, shpërblime etj. Më tej ajo detajohet në 6001 “Paga personel i përhershëm”, 6002 “Paga personel i përkohshëm”, 6003 “Shpërblime”, e 6009 “Shpenzime të tjera personeli”. Teprica e saj është 77.442.605 lekë.
Llogaria 601 “Kontribute për sigurime shoqërore e shëndetësore” regjistron shpenzimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve që përballohen nga punëdhënësi, në këtë rast prefektura. Kjo llogari detajohet më tej në 6010 dhe 6011 që paraqesin respektivisht, kontributet për sigurimet shoqërore e ato shëndetësore. Teprica e kësaj llogarie është 9.918.478 lekë.
Llogaria 602 “Mallra dhe shërbime të tjera” regjistron shpenzime të bëra për blerje mallrash e shpenzime. Ajo detajohen në nënllogari 6020-6029 që regjistrojnë shpenzime për materiale zyre, materiale dhe shërbime speciale, shërbime nga të tretët, shpenzime transporti, shpenzime udhëtimi, shpenzime për mirëmbajtje të zakonshme, shpenzime për qera marrje, shpenzime për detyrime për kompensime ligjore, shpenzime të lidhura me huamarrjen për hua (me tepricë zero) dhe shpenzime të tjera operative. Teprica e kësaj llogarie është 9.728.084 lekë.
Llogaria 603 “Subvencionet” rregjistron shpenzimet për subvencione. Llogaria detajohet në nënllogaritë 6030, 6031,6032, 6033, 6039 që paraqesin respektivisht subvencione për diferenca çmimi, subvencione për nxitje punësimi, subvencione për të mbuluar humbjet, subvencione për sipërmarrje individuale dhe subvencione të tjera. Duhet thënë se këtë vit nuk kemi pasur shpenzime për subvencione dhe as në vitin e kaluar.
Llogaria 604 “Transferime korrente të brendshme” pasqyron ndihmat që ka dhënë prefektura për njësi të tjera brenda vendit. Për këtë vit dhe për vitin e kaluar teprica e llogarisë 604 është e barabartë me atë të 
llogarisë 6040 “Transferime korrente në nivele të tjera qeverisjeje”. Ndërkohë që llogaritë 6041, 6042, 6044 që regjistrojnë transferimet korrente te institucionet qeveritare të ndryshme, transferimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe transferimet në organizatat jofitimprurëse kanë tepricë zero. Transferimet korrente të brendshme kanë qenë 427.821.833 lekë.
Llogaria 605 “Transferime korrente me jashtë” regjistron ndihmat për njësi jashtë vendit si OJF, organizata ndërkombëtare etj. Gjatë këtij viti nuk ka pasur transferime të tilla.
Llogaria 606 “Transferta për buxhete familjarë e individë” regjistron ndihma për individë dhe familje. Teprica e kësaj llogarie është 185.000 lekë.
Nëngrupi i dytë përfshin vetëm llogarinë 63 “Ndryshimi i gjendjes së inventarit +-“ e cila gjatë vitit tregon hyrjet dhe daljet e inventarit ndërsa në fund të ushtrimit pasqyron diferencat e inventarit të paraqitur në llogari dhe inventarit fizik. Teprica e kësaj llogarie është 880.740 lekë.
Nëngrupi i tretë përfshin llogarinë 68 me llogaritë e saj më analitike. Llogaria 68 “Kuota amortizimi dhe shuma të parashikuara” pasqyron shpenzimet e amortizimit vjetor. 
Grupi B  përfshin llogaritë 65 e 66 që regjistrojnë shpenzimet financiare. Ndisa nga këto llogari pasqyrojnë interesat për bono thesari, për huamarrje nga burime të brendshme e të jashtme, shpenzime nga këmbimet valutore. Teprica e të gjitha këtyre llogarive është zero.
Grupi C përmban llogarinë 67 të shpenzimeve të jashtëzakonshme. Këto shpenzime kryhen nga prefektura në raste të jashtëzakonshme. Teprica e tyre është zero për këtë vit.
Poshtë këtij grupi vendoset totali i shpenzimeve që është 606.300.084 lekë.
Grupi D përfshin llogaritë 82, 83, 84 të operacioneve të korrigjimit të rezultatit. Vlera e këtij grupi përbëhet tërësisht nga teprica e llogarisë 8421 “Derdhje në buxhet e të ardhurave të papërdorura” që tregon kalimin në buxhet të granteve të kushtëzuara të papërdorura. Llogaritë e tjera si Tituj të ardhurash të anulluara, Derdhje të ardhurash në buxhet etj kanë tepricë zero.
Nga shuma e katër grupeve përbën totalin e operacioneve. Ky total bashkë me rezultatin nga funksionimi përbën totalin e fletës.
Të ardhurat 
Kjo fletë ndahet në 3 grupe.
Grupi A: Të ardhurat e shfrytëzimit
Grupi B: Të ardhurat financiare
Grupi C: Të ardhurat e jashtëzakonshme
Grupi D: Operacione korrigjim rezultati.
Grupi A i të ardhurave të shfrytëzimit ka një vlerë prej 506.414.170 lekë. Këto të ardhura i gjejmë në llogaritë e mëposhtme
Llogaria 7113 “Të ardhura nga shitja e mallrave dhe shërbimeve” me vlerë prej 554.500 lekë. Më konkretisht këto të ardhura vijnë nga shërbimi zjarrëfikës që administrohet nga prefektura.
Llogaria 719 “Të tjera të ardhura jotatimore” ka pasur një tepricë prej 4332 lekësh në fund të vitit.
Llogaria 72 “Grante korrente” mbart dhe pothuaj të gjitha të ardhurat e realizuara. Këto grante korrente janë tërësisht të brendshme pra llogaria 720 “Grant korrent i brendshëm” ka të njëjtën vlerë sa llogaria sintetike 72.
Për të hyrë më shumë në detaje vlera e granteve korrente të brendshme përbëhet nga vlera e llogarisë 7200 “Grant korrent i brendshëm nga i njëjti nivel qeverisjeje” që pasqyron ato grante që jepen nga buxheti i shtetit për shpenzime korrentë për të njëjtin nivel qeverisjeje. Kjo llogari ka tepricë prej 336.661.596 lekësh.
Llogaria 7206 “Financim i pritshëm nga buxheti” pasqyron ato shpenzime të cilat do të mbulohen nga buxheti i vitit të ardhshëm (psh. Rrogat e 15-ditëshit të dytë të dhjetorit). Teprica e kësaj llogarie është 8.793.742 lekë.
Llogaria 7207 “Sponsorizime nga të tretë” pasqyron të ardhurat që vijnë si rezultat i sponsorizimit nga të tretët. Për vitin 2011, kjo llogari ka një tepricë prej 180.000.000 lekësh.
Të ardhura për këtë vit regjistrohen edhe nga llogaria 78 “Punime për investime e rimarrje” që pasqyon të ardhurat që siguron prefektura nga punimet e ndryshme dhe rikonstruksionet e aktiveve të qendrueshme të trupëzuara. Kjo llogari ka një tepricë prej 400.000 lekësh. Në mënyrë më analitike, këto të ardhura vinë nga llogaria 787 “Tërheqje nga seksioni i investimeve”.
Të ardhura financiare dhe të ardhura të jashtëzakonshme nuk kemi pasur gjatë këtij viti as atij të kaluar.
Grupi D përfshin operacione të korrigjimit të rezultatit konkretisht llogaritë 829 dhe 841.
Llogaria 829 “Urdhra shpenzimesh të anulluara ose të parashkruara” pasqyron shpenzime të viteve të kaluara që cilësohen si të papagueshme, e për pasojë anullohen.
Llogaria 841 “Transferim i ndryshimit të gjendjes” është llogari kundërparti e ndryshimit të gjendjes së inventarit. 
Vlerat e të katër grupeve të përmendura më sipër mblidhen dhe japin totalin e operacioneve. Ky total mblidhet me rezultatin e veprimtarisë për të dhënë totalin e fletës së të ardhurave. 
PASQYRA E BURIMEVE DHE SHPENZIMEVE LIDHUR ME INVESTIMET
Kjo pasqyrë tregon se çfarë burimesh ka përdorur prefektura për të kryer investime dhe si i ka shpenzuar këto burime. Vihet re se në këtë pasqyrë, për dallim nga Bilanci dhe PASh, përveç tepricës përfundimtare jepet dhe teprica në çelje dhe lëvizjet në debi dhe kredi gjatë vitit.
Burimet e investimeve
Si burime investimesh janë përdorur grantet e brendshme kapitale, nga i njëjti nivel dhe nga nivele të ndryshme qeverisjeje, dhe rezultati i mbartur. Grantet e brendshme kapitale janë mbyllur në fund të vitit, pra teprica e tyre është zero, ndërsa rezultati i mbartur nuk është konsumuar plotësisht.
Shpenzimet për investime
Shpenzimet për investime konsistojnë në 398.400 lekë të përdorura për inventar ekonomik.
Totali i burimeve dhe shpenzimeve jepet në fund të pasqyrës.
PASQYRË E LËVIZJES NË “CASH” VITI 2011
Kjo pasqyrë pasqyron lëvizjet e mjeteve monetare gjatë vitit. Lëvizjet janë hyrëse në rastin e arkëtimeve dhe dalëse në rastin e pagesave dhe transfertave.
Arkëtimet kanë ardhur nga buxheti, nga sponsorizimet, nga mjetet në ruajtje si dhe nga shërbimet e ofruara.
Pagesat janë përqendruar mbi 99% në shpenzime korrente ndërsa një shumë e papërfillshme ka kaluar në investime kapitale e konkretisht për inventar ekonomik.
Transfertat janë në formën e derdhjeve në buxhet dhe derdhje të shumave të papërdorura nga grantet korrente e kapitale. 
Si përfundim, hyrjet kanë qenë më të mëdha se daljet dhe gjendja e mjeteve monetare është rritur.
GJENDJA DHE NDRYSHIMI I AKTIVEVE TË QENDRUESHME (Vlera bruto)
Kjo pasqyrë tregon lëvizjet në vlerën e aktiveve të qendrueshme. Kjo lëvizje mund të vijë si pasojë e disa situatave si:
Blerjet e kryera me pagesë kanë qenë 398.400 lekë dhe siç e kemi përmendur më sipër kanë qenë për inventar ekonomik.
Shtesa pa pagesë brenda sistemit dmth. Nga shteti kemi për llogarinë instalime teknike, makineri, pajisje, vegla pune me 416.430 lekë dhe për inventar ekonomik me 396.115 lekë.
Kolona Gjithsej paraqet gjendjen fillestare plus hyrjet.
Shitje nuk kemi. Nxjerrje jashtë përdorimi kemi për Llogarinë Rrugë, rrjete, vepra ujore me 1.900.430 lekë dhe oër inventarin ekonomik me një shumë prej 1.311.792 lekësh.
Pakësime të tjera nuk kemi.
Kolona 10 Gjithsej tregon zbritjen në vlerat e llogarive të aktiveve të qendrueshme si rezultat i veprimeve të treguara më sipër.
Kolona 11 Gjendja e mbylljes së ushtrimit është diferenca e kolonës 6 me kolonën 10.
PASQYRA E AMORTIZIMIT
Kjo pasqyrë tregon amortizimin vjetor të aktiveve të qendrueshme. Në rastin e prefekturës kemi vetëm aktive të qendrueshme të trupëzuara prandaj në këtë pasqyrë paraqitet vetëm amortizimi i tyre. 
Këtu pasqyrohet shuma e amortizimit të akumuluar në çelje, amortizimi gjatë vitit, pakësimi i amortizimit për shkak të daljes së aktiveve dhe si përfundim del amortizimi total vjetor.
PASQYRA E LËVIZJES SË FONDEVE
Kjo pasqyrë paraqet lëvizjet e llogarive të Burimeve të veta gjatë vitit. Pas llogarive përkatëse jepet teprica në çelje të vitit, më tej lëvizjet në debi e kredi dhe duke mbledhur tepricën e çeljes me lëvizjet del dhe shuma në fund të vitit.
PASQYRA E KONSOLIDUAR E GJENDJES FINANCIARE DHE TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE
Hartohet nga institucionet që kanë në varësi njësi të tjera publike. Në këtë rast prefektura ka në varëzi Ndërmarrjen e Zjarrëfikësve Shkodër ndaj dhe i harton këto pasqyra. Llogaritë janë po ato si në bilanc dhe PASh. 
Pasqyra e konsoliduar e gjendjes financiare në këtë rast ka një vendosje të aktiveve nga ato më likuidet te ato më pak likuidet, në të kundërt me rastin e bilancit që e trajtuam më sipër.
Pasqyra e konsoliduar e të ardhurave dhe shpenzimeve fillon me detajimin e të ardhurave dhe pastaj të shpenzimeve.

Përfundime
Prefektura e Shkodrës është një njese ku kanë dominuar shpenzimet korrente. Të ardhurat vinë nëpërmjet granteve. Aktivet janë si afatshkurtra dhe afatgjata ndërsa burimet e financimit janë kryesisht me fondet e veta.






No comments:

Post a Comment