Monday, April 23, 2012

Aktivet afatgjata jomateriale në Shqipëri


Aktivet afatgjata jomateriale janë ende pak të njohura në Shqipëri. Ato dolën në pah me kalimin drejt ekonomisë së tregut në fillim të viteve ’90 por ende nuk janë aq të popullarizuara ndërmjet biznesmenëve. Ka ende mjaft problem në sigurimin e ushtrimit të të drejtave që burojnë nga ato, marrjen e përfitimeve dhe sigurinë nga cënuesit e paligjshëm të të drejtave. Më poshtë do të flitet për disa nga format e aktiveve jomateriale që mund të gjenden në Shqipëri, për kuadrin ligjor dhe institucionet që merren me rregjistrimin dhe mbrojtjen e tyre.

Pronësia Industriale
Pronësia Industriale është:
Ø  Një kategori e Pronësisë Intelektuale që gjen zbatim në industri.
Ø  Një disiplinë Shkencore që trajtohet si një lloj i pronësisë  intelektuale dhe i referohet krijimeve të mëndjes së njeriut.
Ø  Një sistem qe siguron mbrojtje efektive të të drejtave kundër shkeljeve ose përvetësimit të shpikjeve, markave tregtare dhe të sherbimit, tregueseve gjeografike, dizenjove industriale, nga palët e treta.

Qëllimi i sistemit të të drejtave të Pronësisë Industriale është të inkurajojë dhe të motivojë shpikësit, krijuesit, të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të  rrënjosë besimin në zhvillimin e aktivitetit tregtar në lidhje me Markat Tregtare.

Pronësia industriale perfshin:

Ø  Shpikjet
Ø  Dizenjot industriale
Ø  Markat tregtare dhe të shërbimit
 Ø  Treguesit gjeografikë (emërtimet e origjinës)
 Ø  Qarqet e integruar.

Ligjet që e trajtojnë këtë kategori janë Ligji nr. 9947 dt 7.7.2008 Per pronësinë industrial.
Në nenin 40 të këtij ligji përcaktohet se kohëzgjatja kohore e një patente është 20 vjet.

Sipas këtij ligji

“Disenjo industriale” nënkupton karakteristikat e formës së jashtme të një produkti, në përgjithësi, aspekti ornamental ose estetik i një produkti, si një i tërë ose i pjesëve të tij, që i jep atij një pamje të veçantë dhe që nuk përjashtohet nga mbrojtja, sipas pikës 3 të nenit 1 të këtij ligji.

Përsa i përket kohëzgjatjes së mbrojtjes së dizenjos në nenin 128 të po këtij ligji thuhet:

Regjistrimi i një disenjoje është i vlefshëm për 5 vjet, duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e saj. Regjistrimi mund të ripërtërihet, kundrejt një pagese të caktuar për një periudhë shtesë prej pesë vjetësh, deri në një periudhë prej 25 vjetësh, nga data e depozitimit të aplikimit për regjistrimin e disenjos.

Përsa u përket markave ky ligj në nenin 140 jep këtë përcaktim:

1. Çdo shenjë ose kombinim shenjash, që paraqitet grafikisht dhe që shërben për të dalluar mallrat apo shërbimet e një personi fizik ose juridik, nga ato të një personi tjetër fizik ose juridik, është markë që përfaqëson ato mallra ose shërbime, me kusht që të përmbushen kërkesat e neneve 141 deri në 143 të këtij ligji (në vijim do të quhet “markë”).
2. Përbëjnë marka shenjat e mëposhtme:
a) fjalët, përfshirë emrat personalë, shkronjat, numrat, shkurtimet;
b) shenjat figurative, përfshirë vizatimet;
c) format dy ose tredimensionale, format e mallrave dhe/ose ambalazhimi i tyre;
ç) kombinimet e ngjyrave e të dritë-hijeve, si dhe ngjyrat në vetvete;
d) çdo kombinim i shenjave, të përmendura nga shkronjat “a” deri në “ç” të kësaj pike.
3. Markat regjistrohen vetëm nëse ato mund të paraqiten grafikisht. Kjo lidhet veçanërisht me lloje të veçanta markash, si zëri dhe sinjalet e dritës, por jo vetëm me këto.

Në nenin 164 të ligjit përcaktohet kohëzgjatja e vlefshmërisë së markës që është 10 vjet. Kjo periudhë mund të shtyhet pafundësisht duke u ripërtërirë. Normalisht, për çdo rirregjistrim të markës, kryhet dhe rinjohja e saj në kontabilitet. Nëse marrim si metodë amortizimi metodën lineare, norma e amortizimit do të jetë 10% në vit.

Marka kolektive mbron një shenjë, që përdoret për të dalluar mallrat dhe/ose shërbimet e hedhura në treg nga një organizim tregtar apo industrial, nga një shoqatë apo nga një entitet i ngjashëm i disa subjekteve.

Emërtimet e origjinës dhe emërtimet gjeografike, që përdoren në tregti, për të treguar origjinën gjeografike të produkteve, mbrohen nga ky ligj dhe nga aktet nënligjore në zbatim të tij, si “Tregues gjeografikë”. Mbrojtja ligjore e një treguesi gjeografik të regjistruar është e pakufizuar në kohë dhe përfundon kur nuk ekziston më lidhja ndërmjet vetive e karakteristikave të mallrave dhe mjedisit gjeografik.

Për pranimin e aplikimeve, kryerjen e ekzaminimeve dhe dhënien e titujve të mbrojtjes së përmendur më sipër funksionon Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe e Markave.

Licencat dhe lejet

Licencat dhe lejet lëshohen nga organet shtetërorë. Mbajtësit e tyre janë të lejuar të ushtrojnë veprimtari në një fushë të caktuar. Per dhënien e licencave në bazë të ligjit nr. 10081 u krijua Qendra Kombëtare e Licencimit.

Kjo qendër jep 65 licenca në fusha si: siguria kombëtare, ushqimi dhe shëndeti, arsimi dhe shkenca, mjedisi dhe burime mjedisore, burimet minerare, drejtësia dhe ligji etj. Këto licenca përfshijnë licenca për dhënie ekspertize dhe konsulence, mbrojtje, përpunim ushqimesh, shfrytëzim burimesh minerare dhe konsulencë në lidhje me to, veprimtari mjedisore etj. Sipas ligjit licencat jepen pa limit për sa I përket afatit të skadencës.

Ka dhe licenca që jepen pa pjesëmarrjen e QKL si:  licenca për hapjen e institucioneve të arsimit të lartë, mbrojtje e të drejtave të autorit, konsulencë mbi financat publike, autoshkolla, shërbime aeroportuale dhe portuale etj.

Kjo kategori aktivi jomaterial është më e përhapura në Shqipëri sepse është detyrim për të ushtruar veprimtari në fusha të caktuara. Megjithatë numri I veprimtarive ku kërkohet licence është reduktuar vitet e fundit nga 220 në 65 dhe është lehtësuar procedura e marrjes së tyre.

E drejta e autorit

E drejta e autorit në Shqipëri mbrohet nga kuadri ligjor në fuqi I cili ngarkon Zyrën shqiptare për të drejtën e autorit për pranimin e aplikimeve për rregjistrim të të drejtës së autorit, miratim dhe mbrojtje të të drejtës së autorit. Ka dhe organizata të tjera në mbrojtje të të drejtave autoriale në një fushë të caktuar si: muzikë, kinematografi etj. Këto organizma bashkëveprojnë me zyrën shqiptarë të të drejtave të autorit për një mbrojtje sa më efektive të këtyre të drejtave.

No comments:

Post a Comment