Rritja e shkallës së transparencës dhe informimit të
publikut është një çështje e cila në vite ka pasur vëmendjen maksimale
të Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, e ka identifikuar transparencën
si pjesë të prioriteteve të saj, veçanërisht gjatë procesit mbikëqyrës,
si dhe ka ndarë vazhdimisht thirrjen, për ndërgjegjësim dhe për më shumë
informim, jo vetëm me sistemin bankar por edhe me publikun e gjerë.
Si
pjesë e kësaj strategjie, duke filluar që prej vitit 2007, janë
ndërmarrë hapa konkretë që konsistonin jo vetëm në vlerësimin e bazës
rregullative nё fuqi, por edhe në një proces mbikëqyrës intensiv dhe
analiza paraprake, me qëllim reformimin dhe përmirësimin e standardeve
të transparencës dhe të mbrojtjes së klientëve bankarë. Sa më lart, u
diktua edhe nga stadi i zhvillimit të sistemit bankar. Rritja e
kompleksitetit të produkteve dhe shërbimeve të ofruara, kërkoi
ndërmarrjen nga ana e autoritetit mbikëqyrës të hapave cilësorë për
rishikimin e kuadrit rregullativ që trajton çështje të transparencës dhe
publikimit të informacionit, të përafruara me praktikat më të mira
evropiane dhe parimet e Bazelit mbi disiplinën e tregut.
Në
terma më konkretë, qasja e kujdesshme mbikëqyrëse si dhe analizat e
sipërpërmendura, u materializuan në rishikimin e kuadrit rregullativ
mbikëqyrës, përkatësisht me rregullore të cilat kanë në fokus
rregullimin e procesit të transparencës së bankave dhe subjekteve të
tjera financiare jobanka që operojnë në vend. Kështu, Banka e Shqipërisë
me vendimin nr. 59, datë 29.08.2008; vendimin nr. 60 datë 29.08.2008;
dhe nr. 05, datë 11.02.2009, të Këshillit Mbikëqyrës ka miratuar
rregulloret: (1) “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e
financiare”; (2) “Për kërkesat minimale të publikimit të informacionit
nga bankat dhe degët e bankave të huaja”; (3) “Për kredinë konsumatore
dhe kredinë hipotekare për individët”, me objekt përkatësisht:
-
përcaktimin
e kërkesave mbi mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit për
klientët mbi produktet dhe shërbimet bankare e financiare të ofruara nga
subjektet e kësaj rregulloreje, me qëllim sigurimin e transparencës dhe
mbrojtjen e klientit;
-
forcimin
e disiplinës së tregut lidhur me rritjen e kërkesave për publikimin e
informacionit mbi gjendjen financiare dhe profilin e rrezikut të bankave
dhe degëve të bankave të huaja;
-
përsosjen
në vazhdimësi të rregullimit të transparencës ndaj individit në
procesin e kreditimit, me qëllim përmbushjen e nevojave të tij për
shërbime dhe mallra konsumi, si dhe për banim dhe përmirësim të këtyre
kushteve.
Vijimësia
e këtij procesi, lidhet me analizat e thelluara dhe më tej, me masat e
ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në shkurt të vitit 2011, në drejtim të
vendosjes së çmimeve tavan për të gjitha transfertat në nisje në lekë në
sistemet e pagesave AIPS dhe AECH dhe faktin që transfertat në
mbërritje në lekë do të ishin pa komision. Ndërkohë, komisionet e
transfertave në valutë rezultuan përgjithësisht në të njëjtat nivele me
ato të grupeve bankare të vendeve të rajonit.
Më
tej, procesi arriti pikën e tij kulmore në mars të vitit 2011. Të
vetëdijshëm për kohën që do të kërkonte realizimi me sukses dhe për
vështirësitë që mund të hasnim gjatë implementimit, ndërmorëm ndryshimet
rregullative në lidhje me raportimin dhe publikimin e çmimeve të
produkteve dhe shërbimeve bankare në faqen e internetit të Bankës së
Shqipërisë.
Me
vendimin nr. 14, datë 09.03.2011 të Këshillit Mbikёqyrёs, u miratuan
disa ndryshime dhe shtesa nё rregulloren 59, datë 29.08.2008 “Mbi
transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”. Bëhet
fjalë për ndryshimet e nenit 5, paragrafët 10 dhe 11, si më poshtë:
10.
Banka
paraqet pranë Bankës së Shqipërisë raporte në baza tremujore mbi normat
e interesave për kreditë dhe depozitat dhe komisionet për produktet dhe
shërbimet bankare dhe financiare që ajo i ofron klientëve. Këto raporte
paraqiten brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas përfundimit të periudhës
tremujore, sipas formës së raportimit të miratuar nga Banka e
Shqipërisë.
11.
Banka
e Shqipërisë publikon në mënyrë të përmbledhur dhe krahasimore normat e
interesave për kreditë dhe depozitat dhe komisionet për produktet dhe
shërbimet bankare dhe financiare të raportuara për të gjitha subjektet.
Angazhimi
i Bankës së Shqipёrisё nё standardizimin e raportimit të informacionit
të sipërpërmendur ka qenë intensiv dhe teknikisht i vёshtirё, deri në
finalizimin me sukses të tij. Procesi, i filluar nё muajin gusht 2011,
ka kaluar nё disa stade të vlerësimit dhe rishikimit të formateve
standarde, testimit të tyre, për t’u përmbyllur nё formën që ka
aktualisht. Nё kёtё proces janë pёrfshirё mjetet dhe burimet njerëzore
tё duhura, me qëllim realizimin e synimit të caktuar.
Këto
raportime kanë për qëllim publikimin nga Banka e Shqipërisë të çmimeve
që ofron sistemi bankar për produktet dhe shërbimet, dhe ka si synim
krijimin e kushteve të favorshme që klientët të informohen dhe të
orientohen me lehtësi drejt zgjedhjeve sa më të përshtatshme në
përputhje me situatën e tyre financiare. Krijimi i një sistemi raportimi
të standardizuar nga Banka e Shqipërisë do t’i japë mundësinë kujtdo që
ta konsultojë, me qëllim zgjedhjen e bankës më të përshtatshme për
kërkesat e tij.
Gjithashtu,
impakti i këtij projekti nga njëra anë do të krijojë lehtësi për
konsumatorin (individ ose biznes), dhe nga ana tjetër është pikërisht ky
i fundit që me reagimet tij, pritet të ndikojë në rritjen e nivelit të
konkurrencës në treg dhe t’i orientojë bankat drejt uljes së kostove të
produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Është e rëndësishme që klientët
bankarë të jenë të informuar mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre
kundrejt bankave, ashtu sikurse edhe të drejtat e detyrimet e bankave
kundrejt tyre, informacion i cili është i disponueshëm nëpërmjet
platformës informuese dhe rregullative që Banka e Shqipërisë ka vënë në
dispozicion.
Nga
ana e saj, Banka e Shqipërisë ushtron një mbikëqyrje efektive që synon
mbi të gjitha mbrojtjen e depozituesit dhe forcimin e besimit të
publikut tek sistemi, duke nxitur disiplinën e tregut dhe transparencën e
këtij të fundit, duke krijuar premisa për mbrojtjen e konsumatorit kur
ky i fundit pozicionohet në rolin e klientit përdorues të shërbimeve dhe
produkteve të sistemit bankar. Në funksion të sa më lart, kuadri
rregullativ aktual i Bankës së Shqipërisë, përbën një rrjetë sigurie të
prekshme për konsumatorin shqiptar. Për më tepër, ky kuadër i ndërthurur
edhe me normat rregullative të strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e
konsumatorit si për shembull Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit,
përbën një instrument të plotë nё favor të konsumatorit.
Më
në detaje, forma standarde e raportimit, e cila në periudhat në vijim
do të jetë e aksesueshme nga publiku i gjerë, përmban 5 formularë të
veçantë të ndarë sipas kategorive më poshtë:
1.
“Komisionet për individë”, formular nё të cilin paraqiten kostot për
produktet dhe shërbimet bankare më të zakonshme, për individët, nё 4 nga
monedhat kryesore (Lek, Euro, USD dhe GBP);
2.
“Komisionet për biznesin”, formular nё të cilin paraqiten kostot për
produktet dhe shërbimet bankare më të zakonshme, për biznesin, nё 4 nga
monedhat kryesore (Lek, Euro, USD dhe GBP);
3.
“Normat e interesit”, formular nё të cilin paraqiten, normat e
interesit për tipet e llogarive dhe depozitave më të zakonshme, si për
individët ashtu edhe për biznesin, nё 4 nga monedhat kryesore (Lek,
Euro, USD dhe GBP);
4.
“Normat nominale dhe NEI individë”, formular nё të cilin paraqiten,
normat e interesit nominale dhe norma efektive e interesit, për tipet më
të zakonshme të kredive për individë, nё 4 nga monedhat kryesore (Lek,
Euro, USD dhe GBP);
5.
“Normat nominale dhe NEI biznes”, formular nё të cilin paraqiten,
normat e interesit nominale dhe norma efektive e interesit, për tipet më
të zakonshme të kredive për biznesin, nё 4 nga monedhat kryesore (Lek,
Euro, USD dhe GBP).
Marrë nga faqja zyrtare e
Bankës së Shqipërisë.